Kurani tërheq vëmendjen mbi thelbin e ndodhive. Ai nuk u jep shumë rëndësi elementëve të kohës dhe vendit si dhe emrave të tyre. Sepse hyrja në hollësira që nuk i shërbejnë qëllimit për të marrë shembull prej ndodhive, e mbyt çështjen mes hollësirave. Për rrjedhojë, duke e ngarkuar idenë që duhet të dalë, e bën të vështirë për t’u kuptuar. Një tjetër veçori që bie në sy në rrëfimet e Kuranit është edhe kjo:
Kurani merr nga ndodhia që përcjell vetëm atë pjesë që përmban qëllimin për të cilin e merr si shembull. Meqë i jep rëndësi nënvizimit të qëllimit fetar të ndodhisë në fjalë, Kurani rrëfen ndodhinë nga kreu, mesi ose fundi, pa marrë parasysh rrjedhën historike. Kurani nuk e lë lexuesin të humbë mes ndodhive të rrëfimit; mes radhëve të rrëfimit ai ka “spërkatur” analogji dhe udhëzime fetare që i japin blerim klimës së zemrës.
Rrëfimet e Kuranit nisin me një hyrje tërheqëse për lexuesin. Ndodhitë nuk radhiten me shprehje të thata, por paraqiten të konkretizuara me anë të një përshkrimi plot lëvizje e gjallëri. Shprehjet janë simbolike, domethënë tregohen skena të rëndësishme, kurse shumë hollësi që përmbajnë ato, i lihen imagjinatës së lexuesit. Për shembull, në suren Jusuf, ëndrra që pa Jusufi (a.s.) dhe ia tregoi babait të tij, Jakubit (a.s.), tregohet me një hyrje mjaft tërheqëse dhe një përshkrim të gjallë:
“Kur Jusufi i tha babait të vet: «O babai im! Unë pashë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, Diellin dhe Hënën! I pashë të më përuleshin në sexhde». Ai i tha: «O biri im! Mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu, që të mos kurdisin ndonjë gjë kundër teje, sepse, vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.»” (Jusuf, 4-5)