Faza me eliminim direkt e Botërorit vazhdon ditën e sotme me dy sfida shumë interesante, pasi nga një anë janë në fushë skuadra që kanë pretendime të mëdha, e nga tjetra dy ekipe që kanë çuditur shumëkënd për mënyrën se si mbërritën deri këtu.
Në orën 16:00, në fushë zbresin Japonia e cila eliminoi Gjermaninë duke fituar grupin në të cilin ishte edhe Spanja, dhe Kroacia, finaliste e edicionit të kaluar.
Shumëkush sheh kroatët si një ekip i cili ka forca për të përsëritur magjinë e katër viteve më parë, por Japonia ka treguar se mund të bëjë surpriza të mëdha.
Në orën 20:00, në fushë zbresin favoritët kryesorë të Botërorit, Brazili. “Seleçao” vuan mungesa të shumta për shkak dëmtimesh, por mbetet përsëri një emër shumë i madh.
Përballë ka Korenë e Jugut, që ia doli të siguronte fazën me eliminim direkt falë një fitoreje me përmbysje ndaj Portugalisë në ndeshjen e fundit në grup.