Histori Islame

Histori nga jeta e Profetit Muhamed dhe morali i tij

I Dërguari i Allahut (a.s.) ishte shembulli më i mirë i moralit njerëzor. Ky fakt është dëshmuar nga të gjithë njerëzit e drejtë dhe objektivë prej Lindjes dhe Perëndimit, madje edhe nga armiqtë e tij.  Ai e meritoi të përshkruhet në Kuran si njeri me virtyte madhështore.

Kur e pyetën gruan e tij Aishen (r.a.) për moralin e Muhamedit, e të Dërguarit të Zotit, ajo nuk gjeti përshkrim më të saktë për të shprehur moralin e tij sesa shprehja: “Morali i tij ishte Kurani.” D.m.th.: ai ishte një model praktik për zbatimin e mësimeve të Kuranit dhe moralit të tij. 
Kjo është një përmbledhje e shkurtër e historisë dhe moralit të tij:

Profetit Muhamed (a.s.) nuk i pëlqente që të tjerët të ngriheshin në këmbë në shenjë madhërimi për të. Madje ua ndalonte shokëve një veprim të tillë, saqë ata, me gjithë dashurinë e madhe që kishin për të, nuk ngriheshin nga vendi kur e shihnin të afrohej, vetëm ngaqë e dinin se ai e urrente diçka të tillë (Ahmed 12345).

  • Adij Ibn Hatim, një nga fisnikët arabë, para se të pranonte Islamin shkoi te Profeti Muhamed për të mësuar të vërtetën e thirrjes së tij. Ai e tregon kështu ngjarjen: “Shkova te Profeti (a.s.) dhe gjeta aty një grua me dy fëmijë, që i kishte të afërm. Atëherë e kuptova se nuk ishte mbret si Kisra (i Persisë) dhe Cezari (i Bizantit)” (Ahmed 19381). Thjeshtësia është virtyt i të gjithë Profetëve.
  • Muhamedi (a.s.) ulej me shokët e vet si të ishte njëri prej tyre dhe nuk merrte ndonjë qëndrim që të dallohej nga të tjerët. Aq sa të huajt që nuk e njihnin, kur futeshin në kuvendin e tij, nuk mund ta dallonin se kush ishte, prandaj pyesnin: “Kush nga ju është Muhamedi?” (El-Buhari, 63).
  • Shokët e tij tregojnë se punët e shumta që kishte nuk e pengonin atë të lëvizte për të plotësuar nevojat e njerëzve, sado të vogla të ishin ato. Kështu, ndodhte që të vinte dhe ta merrte për dore ndonjëra nga shërbëtoret e Medinës dhe ta çonte atje ku ajo kishte nevojë (El-Buhari 5724).
  • Një nga shokët më të mëdhenj të Muhamedit (a.s.), Omer Ibn Hattab tregon: “Një herë hyra te shtëpia e Profetit dhe pashë në trupin e tij gjurmët e një hasre (prej gjethesh palme) e fillova të qaj. Ai më pyeti: “Përse qan?” I thashë: “O i Dërguari i Zotit, Kisra dhe Cezari jetojnë në gjithë atë komoditet. Po ti që je i Dërguari i Allahut?!” Ai më tha: “A nuk kënaqesh që ata kanë këtë jetë, ndërsa ne kemi jetën tjetër?” (El-Buhari 3503)

Ai i rregullonte vetë sendet e tij personale, u shërbente familjarëve dhe i ndihmonte në punët e shtëpisë. Kur e kanë pyetur Aishen, bashkëshorten e tij, se çfarë bënte ai në shtëpi, ajo ka thënë: “Ishte përherë në shërbim të familjes… Bënte si çdokush prej jush: ndreqte sandalet dhe arnonte rrobat e tij.” (El-Buhari 644, Ahmed 24749)
Muhamedi ka thënë: “Nuk hyn në Parajsë askush që ka në zemër qoftë edhe një grimë mendjemadhësie.” (Muslim 91)

Muhamedi ka thënë: “Të mëshirshmit i mëshiron i Gjithëmëshirshmi. Mëshironi ata që janë në Tokë, t’ju mëshirojë Ai që është në qiell.” (Ebu Daud 4941)
Mëshira e Profetit (a.s.) manifestohet në shumë forma, si:

  • Ndonëse falja e namazit përbën shtyllën e fesë e për pasojë gjatë saj nuk lejohen fjalët dhe lëvizjet e shumta, Profeti (a.s.) është falur një herë duke mbajtur në krahë mbesën e vogël, Umamën, vajzën e Zejnebit. Kur ulej me ballin në tokë, Profeti (a.s.) e vendoste në tokë Umamën dhe kur ngrihej, e merrte në krahë. (El-Buhari 494)
  • Kur ishte duke u falur me të tjerët dhe dëgjonte ndonjë foshnjë që qante, Profeti (a.s.) e shpejtonte faljen. Për këtë ka thënë: “Unë ngrihem që të falem, duke dashur të falem gjatë; por pastaj dëgjoj ndonjë foshnjë që qan dhe e shpejtoj faljen, ngaqë nuk dua të rëndoj nënën e saj.” (El-Buhari 675)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *