Histori Islame

Leximi i bukur i fjalës së Allahut

Për një ndikim më të plotë të fjalës së Allahut tek njeriu dhe xhinët, përveç leximit të saktë e pa gabime, është shumë e rëndësishme edhe bukuria e zërit. Ashtu siç mund të marrin kuptime të ndryshme sipas mënyrës së shqiptimit, fjalët mund të ndikojnë në mënyrë të ndryshme edhe tek njerëzit, sipas gjendjes shpirtërore, mimikës apo gjesteve të atij që flet.

Për shembull, stili i përgjërimit të një lypësi, dallohet jo vetëm nga fjalët e zgjedhura, por, në të njëjtën kohë, edhe nga mënyra e shqiptimit të tyre. Po ashtu, një shembull i mirë i kësaj, është edhe fuqia ndikuese që merr nga harmonia e fjalëve fjalimi i një komandanti para një beteje të përgjakshme, ku ai nxit ushtarët e tij për luftë.

Është e qartë se ky fakt që vlen për fjalët e thjeshta të njeriut, ka shumë më tepër rëndësi kur bëhet fjalë për Librin e Allahut, Kuranin Fisnik. Në fakt, leximi/këndimi i Kuranit Fisnik, është bërë një degë më vete mes shkencave Islame. Kësaj dege, të quajtur “Shkenca e Këndimit”, i është dhënë një rëndësi aq e madhe, saqë në këtë fushë kanë dalë kolosë diturie, ashtu siç kanë dalë edhe në fushën e jurisprudencës Islame.

Siç e dimë edhe prej Kuranit Fisnik, me fjalën hyjnore që e lexonte me zërin e tij të mrekullueshëm, Daudi (a.s.), entuziazmonte zogjtë dhe malet, të cilët i nënshtroheshin atij. Në dhikrin që bënte ai me zërin e tij të mrekullueshëm, merrnin pjesë të gjitha krijesat.

Zëri, është një prej dhuntive më të mëdha që na ka falur Allahu i Madhëruar. Nëse nuk do të ekzistonte zëri, kushedi çfarë zbrazëtie do të kishte në gjithësi! Ashtu siç ka shumë mirësi të veta, zëri mund të përdoret edhe në forma negative. Si çdo gjë në gjithësi që ka të kundërtën e vet, në të njëjtën mënyrë, ka edhe zë të mirë, edhe zë të keq. Për shembull, aq sa kënaqësi e prehje i jep zëri i bilbilit një shpirti të ndjeshëm, duke ia mbushur zemrën me hare, po aq shqetësim i jep edhe zëri i një korbi.

Ashtu si midis njerëzve, zëri ka ndikim pozitiv dhe negativ edhe midis kafshëve. Ndërkohë që ulërima e luanit në pyll u shtie frikën në zemër të gjithë kafshëve të dobëta, gjarpri, që është një kafshë me gjak të ftoftë, del nga shporta e nis të lëvizë me harmoni kur dëgjon fyellin e një fakiri indian! Po ashtu, melodia përdoret edhe për të shtuar shpejtësinë e ecjes së devesë në shkretëtira.

Siç tregohet, edhe gjahtarët i gjuajnë sorkadhet duke i tërhequr me melodinë e një fyelli në krye të një burimi. Sorkadhet që dëgjojnë tingujt e fyellit, dalin nga pylli, afrohen tek melodia pranë burimit, bien në gjunjë dhe derdhin lot të ngrohtë. Në këtë mënyrë, gjahtarët e fshehur përreth, dalin dhe i kapin këto kafshë energjike duke përfituar nga gjendja e tyre.

Zëri, që ndikon kaq shumë edhe tek kafshët, është e pamundur të mos ndikojë edhe tek njeriu, i cili është më i përsosur se ato! Për shembull, tingulli i monedhës, është burim kënaqësie për ata që janë të dhënë pas kësaj bote; tingulli i ujit dhe bilbilit, është kënaqësi për romantikët dhe njerëzit me shpirt poeti; ndërsa këndimi i Kuranit dhe ezanit, janë burim kënaqësie e prehjeje për udhëtarët e rrugës së Zotit që e kanë të pastruar shpirtin.

Kur çështjet e kësaj bote ia rëndonin shpirtin, Profeti ynë (a.s.), i thoshte Bilalit:

“O Bilal! Na këndo një ezan, të qetësohemi!…”[1]

Kur këndon bilbili, nga malet përballë nuk jehon tjetër veçse zëri i tij; kështu ndodh edhe kur tingujt e ezanit qëndisin hapësirën qiellore… Dhe, aq sa të ndjeshëm jemi në një moment të tillë, po aq do të ndikojë edhe ai zë tek ne.

Në fakt, të gjalla dhe jo të gjalla qofshin, të gjitha krijesat, e përmendin Allahun në mënyrë të vazhdueshme. Këtë, e mësojmë nga Kurani Fisnik, ku urdhërohet:

“Atë e madhërojnë shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata. Ai, me të vërtetë, është i Butë dhe Falës.” (Isra, 44)

Madhërimin që bëjnë ato, mund ta ndjejnë vetëm njerëzit me zemër të ndjeshme. Ata, ndodhen në pasionin e këtij madhërimi.

Këta tinguj dhikri, janë fjalë hyjnore pa shkronja e të heshtura që nuk mund t’i dëgjojë kushdo. Dëgjimi i tyre është diçka e posaçme vetëm për njerëzit e urtë, zemrat e të cilëve janë gjithmonë të zëna me dhikër dhe që e kanë bërë dhikrin natyrë të vetën, çdo zë e perceptojnë si dhikër.

Shkurtimisht, dhikri është zëri më i bukur tek Allahu, qoftë ai me tinguj apo jo. Fjala dhikër, ka kuptime të gjera, ku krahas kuptimit të vet të veçantë, është bërë titull edhe për librat hyjnorë. Për rrjedhojë, në ajetet e Kuranit, lidhur me Teuratin dhe Kuranin përdoret edhe fjala “dhikr”.

Nisur nga kjo, zërat dhe frymët, si domosdoshmëri e urdhrit “Lexo me emrin e Zotit tënd!”, që është edhe fermani i parë i Allahut, kanë fituar nder dhe dinjitet, me anë të “zërit” të Kuranit. I Dërguari Allahut (a.s.), na mëson:

“Stoliseni Kuranin me zërin tuaj!” (Ibn Maxhe, Ikamet, 176.)

Me këtë, Profeti (a.s.), ka theksuar se edhe zëri i bukur mund ta zbukurojë Kuranin, duke e bërë atë më ndikues tek të tjerët. Po ashtu, edhe ky hadith, shpreh të njëjtin kuptim:

“Zbukurojeni Kuranin me zërin tuaj, sepse zëri i bukur ia shton edhe më tepër bukurinë Kuranit.” (Darimi, Fadailu’l-Kuran, 34.)

Ndërsa në një transmetim tjetër, Profeti ynë (a.s.), thotë:

“Nuk është prej nesh ai që nuk e zbukuron zërin kur këndon Kuranin!” (Buhari, Teuhid, 44; Ebu Daud, Vitr, 20.) Sipas dijetarëve, edhe ai që nuk ka zë të bukur, duhet të mundohet ta këndojë Kuranin me zë të bukur me aq sa ka mundësi.

Për shkak se Kurani është më e bukura e fjalëve, edhe bukuria dhe madhështia e zërit të njeriut del në pah me anë të leximit të Kuranit. Çdo zë të ngop, por zëri i Kuranit, kurrë!..

Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

Allahu i Madhëruar, nuk është kënaqur me asgjë tjetër, më shumë se sa është kënaqur nga këndimi i Kuranit me zë të bukur dhe të lartë nga një profet me zë të bukur.” (Buhari, Fadailu’l-Kur’an, 19; Teuhid, 32; Muslim, Musafirin, 232-234.)

Edhe kënaqësia, edhe prehja e pendestarëve, gjendet në madhështinë e tingujve të Kuranit, e cila deh shpirtrat! Të ngushëlluarit me tingullin e tij ushqehen. Gjuha e tij, është edhe gjuha e xhenetit!

Mirëpo, indiferentët që nuk ia hapin zemrën zërit të Kuranit, njohin vetëm anën e jashtme të jetës dhe mbeten të privuar prej të vërtetave të brendshme dhe botës shpirtërore. Ata vrapojnë pas kënaqësive dhe epsheve të kësaj bote, prandaj nuk e kuptojnë urtësinë hyjnore. Ata përfitojnë me pangopësi nga sofra e kësaj bote dhe nuk e njohin pronarin e kësaj sofre, Allahun e Madhëruar, i Cili është “Rrezzak” (furnizues, ushqyes). Ata i varrosin të afërmit në varre, por jetojnë pa ditur asgjë për nëntokën. Sa çudi është me ata që jetojnë në pronën hyjnore, por i bëhen armiq Pronarit të saj!

Kurse besimtarët me zemrën mbushur me Kuran, jetojnë duke medituar mbi të vërtetat e larta. Fjala hyjnore që lexojnë, i thotë kështu zemrës së tyre:

“Ti je rob i Zotit dhe jeton në pronën e Tij! Ti furnizohesh me mirësitë e Tij! Prandaj zhytu në urtësinë dhe të fshehtën e Kuranit dhe udhëto drejt Zotit tënd me zemrën të pastër!”

Ata, zemra e të cilëve mbushet me Kuran, jetojnë të vetëdijshëm se janë rob të Zotit. Ata falënderojnë për të mirat që u jepen dhe jetën e tyre të përkohshme e përdorin për të fituar jetën e përjetshme. Nisur nga kjo, për ata që marrin frymëzim shpirtëror prej Profetit tonë (a.s.), Kurani është gjuha e tokës dhe e qiellit; është thesari i begatisë shpirtërore. Kjo, sepse Profeti dhe Kurani janë dy burime drite të dhuruara nga Zoti për robërit e Tij. Aq sa është e shuar bota pa njeriun, aq është edhe njeriu pa Kuranin. Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Ai që nuk ka qoftë edhe një copëz Kuran në zemrën e tij, është si një shtëpi gërmadhë!” (Tirmidhi, Fadailu’l Kur’an, 18; Darimi, Fedailu’l-Kur’an, 1.)

Gjithësia është një Kuran pa zë, Kurani është një gjithësi me zë. Ndërsa njeriu, si një monument ku shfaqen enigmat hyjnore, është thelbi i këtyre. Kurani është mrekulli e fjalës dhe ligjëratë e Krijuesit. Zemra e cila qëndron larg të vërtetave Kuranore, është e dënuar të humbë në të dyja botët. Ndërsa një jetë e cila jetohet në bazë të të vërtetave Kuranore, është jetë e xhenetit. Lidhur me këtë, Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Zemrat ndryshken ashtu siç ndryshket hekuri!” Kur e pyetën se çfarë mund ta pastrojë e ta shkëlqejë atë, ai tha:

“Leximi i shpeshtë i Librit të Allahut dhe përmendja e shpeshtë e Allahut.” (Ali el-Muttaki, Kenzu’l-ummal, II, 241.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *