Nëse Kurani ka ndonjë gjykatës mbi të, ai është vetë Kurani. Kurse hadithi ka një shkallë dyshimi dhe si i tillë, kurrsesi nuk mund të jetë gjykatës mbi Kuranin, por thjesht dëshmi mbështetëse. Realisht, punën kryesore e kanë kryer Kurani dhe suneti, kurse hadithi vjen si dëshmi ndihmëse. Si mund të bëhet gjykatës hadithi mbi Kuranin, kur Kurani dhe suneti ishin udhëzues në atë kohë, kur ky gjykatës i krijuar nuk kishte as nam e as nishan?!
Prandaj, mos thoni se hadithi është gjykatës mbi Kuranin, por thoni se hadithi është dëshmi mbështetëse për Kuranin dhe sunetin. Po, suneti është diçka që tregon qëllimin e Kuranit. Ai është rruga në të cilën i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pruri sahabët. Sunet nuk janë fjalët që u shkruan njëqind a njëqind e pesëdhjetë vjet më vonë, pasi këto quhen hadithe. Suneti është ai shembull praktik, të cilin muslimanët e sinqertë e kanë ndjekur që nga fillimi, praktikë të cilën e ndiqnin mijëra e mijëra muslimanë.
Kurse hadithi, ndonëse pjesa më e madhe e tij është në shkallën e hamendjes, vlen ta praktikosh me kushtin që nuk bie ndesh me Kuranin dhe sunetin. Në këtë aspekt, ai është ndihmës i Kuranit dhe i sunetit dhe përbën një thesar të çështjeve islame. Prandaj, mosvlerësimi i hadithit është gjymtim i një pjese të Islamit. Po, nuk është i denjë të pranohet ai hadith që është kundër Kuranit dhe sunetit, ose që është kundër një hadithi tjetër që përputhet me Kuranin, ose që është kundër një hadithi të Sahihut të Buhariut. Sepse ta pranosh një hadith të tillë, do të thotë të hedhësh poshtë Kuranin dhe të gjitha hadithet që përputhen me Kuranin. Unë e di që asnjë besimtar i sinqertë nuk do të guxojë të besojë në një hadith të tillë që bie ndesh me Kuranin, me sunetin dhe me hadithet që përputhen me Kuranin.