Rinkonfirmimi i Njëshmërisë së Allahut dhe i Ringjalljes
A nuk e kanë të qartë ata (mekasit), se sa popuj para tyre i kemi shkatërruar, nëpër vendbanimet e të cilëve ecin (kalojnë)? Me të vërtetë, në këto ka shenja paralajmëruese, por a thua vallë, pse nuk duan të dëgjojnë. A nuk e shohin ata, se Ne e drejtojmë ujin (shiun) në tokën e shkretuar dhe me të nxjerrim bimë, me të cilat ushqehen bagëtitë e tyre dhe ata vetë”?! Vallë a nuk janë duke parë”?! E në anën tjetër ata thonë: “Kur do të vijë ky Gjykim, nëse e flisni të vërtetën” Thuaju: “Ditën e Gjykimit, jobesimtarëve nuk do tu bëjë dobi besimi i tyre e as që do t’u jepet afat”. Andaj, ti largohu prej tyre dhe prit, se edhe ata janë duke pritur.” — (Es-Sexhde, 26-30)
Shkaku i zbritjes së ajetit 28
Transmeton Ibn Xheriri nga Katadeja të ketë thënë: “Sahabët thoshin: Na është afruar Dita në të cilën do të pushojmë e do të kënaqemi duke shijuar mirësitë (e Allahut), ndërkohë që idhujtarët talleshin me ta duke iu thënë: “E kur do të vijë ky Gjykim, nëse e flisni të vërtetën””, prandaj zbriti ajeti në fjalë.(1)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Ajetet e fundit të kësaj sureje, na kthejnë edhe njëherë në fillimet e saj, në vërtetimin e tri bazave themeltare të besimit: Shpalljes, Njëshmërisë dhe Ringjalljes. Në lidhje me Shpalljen, shohim se Allahu xh.sh. në ajetet paraprake përmendi shpalljen e Tevratit-Musait a.s.: “Ne i dhamë Musait Librin (Tevratin)” Es-Sexhde, 23, e kjo argumenton dhe vërteton shpalljen e Muhamedit a.s. të përmendur në ajetin 3 të sures Es-Sexhde, ku i Madhërishmi thotë: “që t’u tërheqësh vërejtjen një populli”.
Në lidhje me Njëshmërinë dhe fuqinë absolute të Tij, Allahu i Madhërishmi në ajetet 4-9 të kësaj sureje, flet për krijimin e qiejve, tokës dhe njeriut, kurse tash në ajetin 27 të kësaj sureje thotë: “A nuk e shohin ata, se Ne e drejtojmë ujin (shiun) në tokën e shkretuar dhe me të nxjerrim bimë”, që po ashtu është vepër e Krijuesit Fuqiplotë.
E në fund e përmend edhe Ringjalljen më saktësisht në ajetin 28, ku i Madhërishmi thotë: “E në anën tjetër ata thonë: “E kur do të vijë ky Gjykim, nëse e flisni të vërtetën”, për të cilën gjë ka folur edhe në ajetet 10-14 të kësaj sureje.Koment
26. A nuk e kanë të qartë ata (mekasit), se sa popuj para tyre i kemi shkatërruar: nëpër vendbanimet e të cilëve ecin (kalojnë): Me të vërtetë, në këto ka shenja paralajmëruese, por a thua vallë, pse nuk duan të dëgjojnë.
Nëpërmjet këtij ajeti, Allahu i Madhërishëm ua tërheq vërejtjen idhujtarëve mekas që të shihnin vendbanimet përreth tyre se si i kishte shkatërruar për shkak të kryeneçësisë së tyre në mosbesim. Vendbanimet e këtyre popujve të shkatërruar si Adi, Themudi dhe populli i Lutit, ishin të njohura edhe për mekasit, sepse ata gjatë udhëtimeve të tyre për tregti, kalonin kah këto vendbanime të shkatërruara,(2) të cilat dikur gjallëronin me jetë e njerëz. Por, këta njerëz të mbrapshtë nuk ua vunë veshin vërejtjeve të pejgamberëve të cilët Allahu i dërgoi tek ta, si Hudin, Salihun dhe Lutin a.s., prandaj merituan ndëshkimin hyjnor në këtë botë, para botës tjetër, në të cilën do të jenë përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit. Allahu i Plotfuqishëm në Kuran ka sjellë edhe disa ajete të ngjashme, të cilat dëftojnë për shkatërrimin e popujve që nuk besuan dhe u tallën me të dërguarit e Allahut, si f.v.: “Ja këto janë shtëpitë e tyre të mbetura shkret për shkak të mizorisë së tyre. Sigurisht që këtu ka këshillë për njerëzit që dinë (kuptojnë)” – (En-Neml, 52): pastaj: “Sa e sa vendbanime i shkatërruam, ngaqë banorët e tyre ishin zullumqarë dhe tani ato janë kthyer përmbysi Sa e sa puse mbetën të braktisura, dhe sa e sa pallate të larta të shkretuaral” – (El-Haxh-xh, 45) etj..
Në shkatërrimin e popujve të mëhershëm, për shkak të mosbesimit në Zotin Një, të përgënjeshtrimit të pejgamberëve të Allahut dhe të Ringjalljes, ka argumente të qarta për ata njerëz që logjikojnë me mendje të shëndoshë. Por, fatkeqësisht, zemrat e tyre janë vulosur e ndryshkur me kufër, e veshët i kanë të shurdhër ndaj të së vërtetës.27. A nuk eshohin ata, se Ne e drejtojmë ujin (shiun) në tokën e shkretuar dhe me të nxjerrim bimë, me të cilat ushqehen bagëtitë e tyre dhe ata vetë”?! Vallë a nuk janë duke parë?
Pasi që në ajetin paraprak, Allahu i Madhërishëm ua bëri të ditur se ka shkatërruar popuj të shumtë para mekasve, tash dëshiron që këtyre njerëzve të paudhëzuar, t’u ofrojë argumente të tjera logjike për mundësinë e ringjalljes, vetëm e vetëm që të përudhen në rrugën e drejtë. Ai, nëpërmjet Pejgamberit a.s. iu drejtohet atyre me pyetjen: “A nuk janë duke e parë jobesimtarët se si në e drejtojmë shiun nëpërmjet reve duke e lëshuar atë me bollëk në një tokë të tharë e të shkretuar, nga e cila mbijnë bimë me bollëk, me të cilën bimësi pastaj i ushqejnë bagëtitë, e me disa lloje të tyre ushqehen edhe vetë”?!
Madhështia e këtij ajeti qëndron pikërsht në faktin se fillon me fjalët: “A nuke shohin”? dhe përfundon me fjalët: “A nuk janë duke parë”? që nënkupton se idhujtarët mekas do të duhej të logjikonin me arsye të shëndoshë, duke vrojtuar natyrën rreth tyre, dhe të binden se nëse Allahu ka mundësi ta rigjallërojë me shi, një tokë të tharë nga nxehtësia, Ai po ashtu ka mundësi t’i ringjallë edhe ata pas vdekjes së tyre.28. E në anën tjetër ata thonë: “Kur do të vijë ky Gjykim, nëse e flisni të vërtetën?”
Idhujtarët pyesnin me ironi se kur do të vinte çasti i Llogarisë dhe i Gjykimit, për të cilin po flisnin besimtarët. Ata këtë pyetje e bënin në mënyrë tallëse dhe përqeshëse, sepse nuk e besoni absolutisht mundësinë e ndodhjes së tij. Fjala ‘El-Fethu’ në këtë ajet nënkupton dënimin ose gjykimin e Allahut, i cili mund të vinte si shkak i përgënjeshtrimit të ringjalljes nga ana e idhujtarëve. Kjo ishte një thirrje e hapët e tyre për Muhamedin a.s. dhe për besimtarët që t’ua sillnin këtë dënim, nëse po e thoshin të vërtetën.
Në anën tjetër, lidhur me këtë ajet, kemi një shkak të zbritjes, por që si transmetim është përcjellë vetëm nga Imam Sujutiu, ku besimtarët shpresonin se dita e fitores apo e ngadhënjimit të tyre ishte e afërt, kur ata do ta fitonin Xhenetin si shpërblim, e që mund të ndërlidhet me një kuptim më të përgjithësuar, gjatë debateve të besimtarëve me idhujtarët rreth ringjalljes.29. Thuaju: “Ditën e Gjykimit, jobesimtarëve nuk do t’u bëjë dobi besimi i tyre e as që do t’u jepet afat”.
Në pyetjen sarkastike të idhujtarëve është përgjigjur vetë Allahu xh.sh., i Cili i drejtohet të Dërguarit të Vet, duke i thënë: O Muhamed! Njoftoji jobesimtarët se Dita e Gjykimit është afër, dhe tregoju atyre se atë Ditë nuk do t’u bëjë dobi besimi i tyre.(3) Për ta më nuk ka kthim afat e as kthim mbrapa në këtë botë për pendim dhe vepra të mira. Fati i tyre është vulosur përfundimisht, dhe vendbanim i tyre i amshueshëm do të jetë Xhehenemi.
Në atë Ditë të vështirë, secili mohues i Njëshmërisë, do të dëshironte të sakrifikonte çdo gjë që ka poseduar, vetëm e vetëm që të kthehej edhe njëherë në këtë botë e të pendohej duke u përulur para Krijuesit të Gjithëpushtetshëm, por kjo nuk do të ndodhë. Kjo dynja siç e njohim ne, tashmë do të jetë shkatërruar, dhe nuk ka mundësi të kthimit prapa, për tu përmirësuar. Në lidhje me këtë dëshirë të tyre kemi shumë ajete kuranore që flasin, si ajetet 99-100 të sures E-Muminun: “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike kohore) deri në ditën kur të ringjallen.”30. Andaj, ti largohu prej tyre dhe prit, se edhe ata janë duke pritur.
Ajeti i fundit i kësaj sureje, e ka përmbyllur në mënyrë madhështore këtë sure të bekuar, sepse ia bën me dije Muhamedit a.s. se pritja dhe durimi yt nënkupton fitoren dhe ngadhënjimin që do të të vijë nga Allahu. Ti injoroji talljet dhe ironinë e idhujtarëve dhe duro, sepse me durimin tënd, do të gjesh prehje dhe përkrahje nga Allahu për plotësimin e misionit tënd fisnik, e do ta shohësh edhe shkatërrimin e tyre. Ndërkohë edhe idhujtarët janë në pritje të “shkatërrimit” tënd,(4) por ti mos u brengos sepse Allahu ka për të të mbrojtur prej njerëzve, dhe pritja e tyre do të jetë zhgënjyese, sepse në Ditën e Gjykimit ata do të përballen me dënimin e merituar hyjnor, për shkak të kufrit dhe mosbesimit të tyre.
Porosia e këtyre ajeteve
– Ndëshkimi dhe shkatërrimi i popujve të kaluar, për shkak të arrogancës dhe mosbesimit të tyre dëshmon për fuqinë absolute të Allahut dhe Njëshmërinë e Tij, e njëkohësisht është mësim për idhujtarët që duke parë shkatë- rrimin e popujve para tyre, të ktheheshin në rrugën e udhëzimit e të mos vazhdonin në verbërinë e paraardhësve të tyre.
– Procesi i zbritjes së shiut nga retë, dhe drejtimi i këtyre reve në tokat shkretinore, për ta kthyer atë në një tokë pjellore, është edhe një argument tjetër i fuqisë absolute të Allahut, i Cili e mbikëqyr çdo proces në këtë gjithësi. Sjellja e shembullit të rigjallërimit të tokës së thatë në tokë pjellore me gjelbërim e bimësi të llojllojshme, është një argument tjetër logjik për idhujtarët, se ringjallja e njeriut është pak a shumë një proces i ngjashëm i cili patjetër do të ndodhë, sepse Allahu, i Cili na krijoi neve dhe tërë ekzistencën nga mosqenia, është në gjendje ta rikthejë njeriun e ringjallë atë pasi të ketë vdekur e të jetë bërë hi e pluhur.
– Marrëzia e idhujtarëve shkoi deri aty sa ata të talleshin me Ditën e Gjykimit dhe madje me ironi e sarkazëm ta kërkonin përshpejtimin e këtij dënimi, duke mos qenë të vetëdijshëm për pasojat dhe konsekuencat e kësaj talljeje e përqeshjeje. Ata nuk po e kuptonin se dalja para Allahut në Ditën e Gjykimit, do tua mbyllte përgjithmonë dyert e kthimit në këtë dynja për t’u penduar dhe bërë vepra të mira.
– Përgjigjja e Allahut ndaj talljeve të idhujtarëve ishte e shpejtë dhe e rreptë. Dita e Gjykimit do të vijë pashmangshëm, por imani-besimi në Ditën kur të dalim para Allahut është i vonshëm dhe i papranueshëm, ashtu siç kishte qenë i papranuar edhe imani i faraonit në momentet kur po përpëlitej për vdekje nën dallgët e detit.
– Durimi dhe pritja e gjykimit të Allahut është rruga e duhur dhe e kërkuar, për të arritur synimet madhore në këtë botë. Për këtë porositet Pejgamberi a.s. nga ana e Zotit të gjithësisë, e nëpërmjet tij edhe ne besimtarët e Njëshmërisë. E po ashtu edhe jobesimtarët janë në pritje të asaj me të cilën do të ballafaqohen në Ditën e Gjykimit- dënimin e përjetshëm në skëterrat e Xhehenemit.