Histori private

Njeriut të mirë i shkojnë veçse fjalët e mira

Njeriut të mirë i shkojnë veçse fjalët e mira, sepse vetëm ato ngjiten lart tek Allahu i Madhëruar. Ai qëndron shumë larg nga shprehjet e ndyra, nga fëlliqja e gjuhës, nga përgojimi, thashethemet, shpifja, dëshmia e rreme e çdo fjalë tjetër e keqe.

Njeriu i mirë pëlqen dhe mësohet veçse me punët më të mira. Për mirësinë e këtyre punëve, natyrshmëria e kulluar e njeriut pajtohet me ligjet profetike, dhe ato i pranon logjika e shëndoshë. 

Pra, për mirësinë e tyre pajtohen bashkë Sheriati, logjika dhe natyrshmëria e pastër. Vepra të tilla janë, për shembull: të adhurosh Allahun pa i shoqëruar gjë, t`i japësh përparësi kënaqësisë së Allahut mbi epshet, t’i shprehësh dashuri dhe t’i kushtohesh Atij me gjithë energjitë dhe përpjekjet e tua; të tregohesh bamirës me krijesat e Allahut aq sa ke mundësi, të veprosh me ta ashtu siç dëshiron që ata të veprojnë me ty apo të sillen me ty, dhe t`i lësh të lirë nga ajo që dëshiron që ata t`a lënë të lirë; t`i këshillosh ashtu siç këshillon vetveten, të sillesh me ta me ndershmëri e çiltërsi, ashtu si për veten tënde, t’i gjykosh ashtu sikurse dëshiron të gjykohet për ty, të durosh shqetësimet dhe ngacmimet që ata mund të sjellin dhe, në të njëjtën kohë, të mos i shqetësosh ata; të mos shkelësh nderin e dinjitetin e tyre dhe të mos ua kthesh me të njëjtën monedhë, nëse ata të cenojnë nderin. Nëse shikon diçka të mirë tek ta, e përhap atë, e nëse shikon diçka të keqe, e fsheh atë; të mundohesh t`i justifikosh veprimet e tyre sa të mundesh, pa cenuar Sheriatin e pa kundërshtuar urdhrat apo ndalesat e Allahut.

Të mirit i përkasin gjithashtu cilësitë më të larta morale, më të mirat dhe më të pastrat e tyre, si: maturia, urtësia, qetësia, mëshira, durimi, mbajtja e premtimit, zemërbutësia, dëgjueshmëria, elasticiteti, vërtetësia, sinqeriteti, pastrimi i zemrës prej mërisë, mashtrimeve, inatit, smirës dhe hasedit. Atij i përket modestia, përulja dhe mirësjellja ndaj besimtarëve krenarë, ashpërsia ndaj armiqve të Allahut, ruajtja e fytyrës nga lypja e përulja ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, ndershmëria, dëlirësia, trimëria, bujaria, shpirtmirësia, burrëria, e çdo virtyt i lartë, që e pranon si Sheriati, edhe natyrshmëria e pastër me logjikën e shëndoshë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *