Mbas dy vjetësh që më ka ndodhur kjo histori erotike më e dhimbshme e jetës time, vendosa që dhembjen time ta ndaj me ju. Unë që po ju shkruaj jam një vajzë nga një fshat i Vlorës. Që e vogël më pëlqente shumë muzika dhe aktivizohesha në shfaqjet që organizonte shkolla jonë.
Më jepet më shumë për të kënduar këngë popullore dhe, qëkur isha adoleshente, jam aktivizuar me orkestrën e fshatit duke kënduar nëpër dasmat që bëheshin te ne. Të gjithë më thoshin se kisha perspektivë për të ardhmen, por unë nuk kisha njeri që të më ndihmonte. U tregova prindërve për ëndrrën time, por ata as që e vunë ujin në zjarr. Babi ma preu: “Kur të martohesh, bëj si të duash, bëhu jo vetëm këngëtare, por edhe aktore po të duash!”.
Unë, sapo kisha mbushur 18 vjeçe dhe mundësi për të vazhduar shkollën e lartë nuk pata, pasi prindërit e mi nuk ishin aq në gjendje sa të më ndiqnin me shkollë. Doja të bëja diçka për veten time dhe çdo ditë e natë mendoja se çfarë duhet të bëja. Vendosa që me anë të Facebook-ut të kontaktoja ndonjë person i cili kishte mundësi të më ndihmonte në këtë iniciativë. Fillova t’u bëja ftesë të gjithë kompozitorëve dhe këngëtarëve të muzikës popullore, në mënyrë që ndonjëri prej tyre të më tregonte se ku mund të drejtohesha për të marrë një ndihmë. Më thënë të drejtën, u mundova shumë; disa prej tyre më pranonin si mike në Facebook, disa të tjerë, jo. Disave prej kompozitorëve u kisha shkruar edhe mesazh ku i sqaroja për dëshirën e madhe dhe talentin që kisha për t’u bërë këngëtare e muzikës popullore, por asnjëherë nuk kisha marrë asnjë përgjigje prej tyre.
Një ditë më erdhi mesazh nga një prej kompozitorëve që kanë bërë shumë albume të muzikës popullore, emrin e të cilit nuk dua ta përmend, se nuk është mirë edhe për etikë. Ajo që dua t’ju them është se unë u entuziazmova shumë kur mora një përgjigje nga ai. Në fillim ai më pyeti për moshën, më pas më pyeti për talentin që kisha për muzikën dhe shumë pyetje të këtij lloji. Ai më tha se ishte dakord që ne të bënim një provë të zërit tim, për të kuptuar se deri ku arrinte talenti im në fushën e muzikës. Mua, nga e gjithë kjo bisedë, nuk më zuri gjumi gjithë natën! Ishte hapur një dritë jeshile për mua dhe kisha shumë besim se ëndrrën time për t’u bërë këngëtare do ta realizoja më së miri, ashtu siç kishin bërë edhe shumë këngëtare të tjera nga zona jonë. Isha shumë e bindur se me talentin tim do t’ia arrija qëllimit që kisha.
Me këtë kompozitor kisha folur gati dy javë në Facebook, derisa ai gjeti kohën e lirë dhe më la një datë të caktuar që unë të shkoja në Tiranë dhe ta takoja për të provuar zërin. Nuk dija si të veproja… T’u tregoja prindërve, ata nuk do të më linin, se unë e dija çfarë mendimi kishin ata për këtë gjë. Motrën e madhe e kisha të martuar në Tiranë dhe bisedova me të që të shkoja tek ajo të rrija ndonjë javë. Kështu bëra, u thashë edhe prindërve dhe ata nuk ma prishën pasi unë kisha shkuar edhe herë të tjera tek ajo. Kur mbërrita te motra, i tregova arsyen se pse kisha shkuar në Tiranë, por sapo ia thashë këtë gjë, ajo filloi me të sajat, duke më thënë se “ku e di ti se personi që komunikon në Facebook është me të vërtetë kompozitori për të cilin po më flet?”. Ajo, me të drejtë, më tha se në ditët e sotme ka shumë mashtrues, të cilët kërkojnë të përfitojnë nga njerëz hallexhinj dhe më këshilloi të mos bija pre e këtyre njerëzve. Nga të gjitha këto, m’u krijua përshtypja se motra ime ishte xheloze për mua. Kisha përshtypje se ajo kishte inat që në jetën e saj nuk pati fat në të tilla gjëra, pasi babi im e fejoi të vogël dhe tashmë ajo s’ishte gjë tjetër veçse një shërbëtore e burrit dhe e fëmijëve të saj. I thashë se, “të jetë, si të jetë, unë do ta marr këtë iniciativë dhe do ta provoj njëherë fatin tim”. Kisha frikë se ajo do t’u thoshte prindërve, por këtë gjë nuk e bëri. Pas tre ditësh, unë fola në telefon me kompozitorin dhe vendosëm të shkoja ta takoja te zyra, ku ai kishte ngritur edhe studion ku punonte. Ai më sqaroi se zyra ishte te kati i parë i një pallati, më dha numrin e pallatit, si dhe adresën e tij të saktë. Isha shumë e emocionuar!