Nga Ebu Hurejrah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Tre njerëz Allahu ja ka bërë detyrë Vetes t’i ndihmojë ata: Robi që bën marrëveshje me zotërinë e tij për tu liruar, ai që martohet sepse kërkon të ruajë nderin (dëlirësinë) e tij, dhe ai që përpiqet në rrugë të Allahut” Transmetojnë autorët e suneneve, përveç Ebu Daudit.[1]
Kjo sepse Allahu i Lartësuar ua ka premtuar atyre që shpenzojnë, se do tua zëvendësojë së afërmi. Dhe shpenzimin është përmendur në mënyrë të përgjithshme, por qëllimi i tij është shpenzimet që i do Allahu, sepse premtimi i Tij për zëvendësim vjen si shpërblim për shpenzimet që bëhen në gjëra që Allahu i do. Ndërsa shpenzimet që bëhen në gjërat që Allahu nuk i do, ose në mëkate, ose në shpërdorim (teprim) në gjëra të lejuara, Allahu nuk i ka premtuar zëvendësim për to askujt. Madje ato janë gjynah. Ndërsa këta të tre që u përmendën në këtë hadith, janë prej gjërave më të mira që Allahu i do.
Kështu: Përpjekja në rrugë të Allahut ësht kulmi i fesë dhe maja më e lartë e saj. Qoftë kjo përpjekje me armë apo përpjekje me dituri dhe argumenta. Shpenzimi në këtë rrugë do të rimbursohet nga Allahu, dhe ai që ecën në të do të ndihmohet prej Tij, dhe do t’i lehtësohen punët.
Ndërsa robi që nënshkruan marrëveshje lirimi me zotërinë e vet, kjo është një gjë të cilën Allahu e ka urdhëruan në Kuran duke thënë: “Nënshkruani marrëveshje lirimi me ta nëse dini ndonjë mirësi tek ata (robërit)” (Nur: 33). Dmth nëse njihni prej tyre devotshmërinë në çështjet e fesë dhe se janë të aftë për çështjet e dynjasë. Sepse zotëria është i urdhëruar ta pranojë këtë marrëveshje. Robi që bën marrëveshje lirimi dhe dëshiron ta zbatojë atë, dhe përpiqet të përshpejtojë fitimin e lirisë së tij që të jetë i lirë në çështjet e fesë së tij dhe në jetën e tij të dynjasë, Allahu e ndihmon atë, dhe ja lehtëson çështjet atij, dhe e furnizon andej nga nuk e pret.
Është detyrë për zotërinë që të tregohet i butë me robin e tij në këtë rast, në përcaktimin e afateve të shlyerjes dhe blerjes së lirisë së tij. Dhe duhet t’i japë nga vlefta e marrëveshjes së lirisë – kur robi ta dorëzojë atë – një të katërtën.
Dhe tek fjala e Allahut në lidhje me nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje: “Dhe jepuni nga pasuria e Allahut që Ai ju ka dhënë juve” (Nur: 33), ka urdhër për zotërinë dhe për të tjerët prej muslimanëve. Për këtë arsye Allahu i ka ndarë atij një pjesë të zekatit, tek fjala e Tij: “dhe në çlirimin e robërve” (Teubeh: 60), dhe kjo është prej ndihmës së Allahut të Lartësuar për robin.
Dhe ka ardhur në hadith të saktë prej Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – diçka që është më e përgjithshme se kjo ku ai thotë: “Kush merr pasuritë e njerëzve duke dashur tua rikthejë ato, Allahu do t’i kthejë ato për të. Dhe kush i merr ato duke dashur ti shkatërrojë ato, do ta shkatërrojë atë Allahu” Transmeton Bukhari[2]
Ndërsa sa i takon martesës, Allahu e ka urdhëruar për të të Dërguarin e Tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, dhe ka përmendur dobi të shumta për të, siç janë: ndihma e Allahut, zbatimi i urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, dhe kjo është prej zakonit të të Dërguarve.